Efekti i armëpushimit SHBA–Iran: Çmimi i naftës në nivelin më të ulët të 3 muajve
Nafta Brent ra në nivelin më të ulët që nga 2 marsi, e cila ishte dita e parë e tregtimit pasi SHBA-të dhe Izraeli filluan të sulmonin Iranin.
Çmimet e naftës ranë me më shumë se 2 dollarë për fuçi të enjten, pasi SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje të përkohshme që do t'i jepte fund luftës me Iranin, do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të hiqte dorë nga sanksionet e SHBA-së mbi naftën e Teheranit, duke rritur perspektivën e furnizimit me naftë.
Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent ranë 2.69%, në 77.41 dollarë për fuçi dhe nafta e ndërmjetme amerikane ra me 3.07%, në 74.43 dollarë për fuçi. Nafta Brent ra në nivelin më të ulët që nga 2 marsi, e cila ishte dita e parë e tregtimit pasi SHBA-të dhe Izraeli filluan të sulmonin Iranin.
Memorandumi me 14 pika fillon një periudhë negociatash 60-ditore gjatë së cilës Irani do të lejojë kalimin pa pagesë përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për transportin e naftës dhe gazit. Marrëveshja parashikon që trafiku përmes ngushticës të rikthehet në kapacitetin e tij të plotë brenda 30 ditëve.
Analistët janë të kujdesshëm për sa i përket rënies së mëtejshme të çmimeve të naftës në afat të shkurtër, pasi furnizimi mund të mbetet i kufizuar edhe pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tyre, vëllimi i naftës bruto që kthehet në treg pas rihapjes së Hormuzit mund të jetë i kufizuar, pasi disa ngarkesa kanë dalë tashmë përmes marrëveshjeve alternative, ndërsa pronarët e anijeve mund të ngurrojnë të dërgojnë cisterna përsëri në rajon për shkak të shqetësimeve se marrëveshja mund të dështojë.
Analikstët mendojnë se kërkesa e përgjithshme për naftë bruto mund të vijë më shpejt se furnizimi, duke kontrolluar rënien e çmimeve në nivelet e para luftës.